Storie suksesi – fermerja Meradije Kabashi

Prodhimi i reçelit dhe ajvarit tradicional

Miradije Kabashi është grua fermere nga fshati Studenqan Komuna e Suharekës. Ajo është njëra nga përfitueset e programit të granteve të projektit SUSI-LDF financuar nga Agjencioni Austriak për Zhvillim. Shuma totale e financuar nga ADA është 6,824.00 ndërsa kontributi I përfituesit është 1,706.00.

Miradija thotë se: “Është e vështirë të përshkruaje me fjalë se sa i rëndësishëm ka qenë donacioni. Për mua si femër nuk ishte e lehtë të merrem me biznes. Më parë ne jemi përballur me vështirësi të shumta siç janë mungesa e hapësirave adekuate të punës në realizimin e prodhimit tonë. Unë jam shumë falënderuese ndaj Agjencionit Austriak për Zhvillim për këtë ndihmë e cila ka ndryshuar jetën time në aspektin pozitiv”

Fermerja ka arritur që të finalizojë implementimin e projektit nga mesi i muajit Gusht 2015. Qëllimi kryesor i projektit ishte përmirësimi i kushteve të punës në përpunimin e frutave dhe perimeve. Me grantin e marrë nga ADA Austriake në shumë prej 6,824.00 Euro dhe kontributin e fermeres në vlerë prej 1,706.00 Euro, përfituesi ka arritur të ndërtojë një linjë të vogël të përpunimit të frutave dhe perimeve dhe renovimin e hapësirave ruajtëse për produktet finale. Gjithashtu granti është përdorur për të blerë pajisje të cilat fermerja i përdor në përpunim.

Vitin e kaluar përfituesja ka arritur të prodhojë rreth 3,000 kg të frutave dhe perimeve të përpunuara duke përfshirë ajvar, perime të konservuara dhe reçel. Nga shitja e produkteve të mësipërme familja ka arritur që të sigurojë të ardhura në vlerë prej rreth 6,500.00 Euro. Ndërsa këtë vit ajo ka arritur të prodhojë 2,000 kg ajvar tradicional, 1,000 kg reçel dhe 1,000 kg perime të konservuara. Të ardhurat totale për këtë periudhë arrijnë në 13,500.00 Euro.

Aktualisht fermerja Miradije Kabashi është përfituese e fazës së dytë të Projektit SUSI-LDF dhe ka filluar me implementimin e projektit të dytë.