Nënshkrimi i kontratës me Agjencionin Austriak për Zhvillim (ADA) – Projekti Iniciativa për Fermerët e Vegjël Suharekë, SUSI-LDF Faza e 2-të

Pas një implementimi shumë të suksesshëm të fazës së parë të Projektit SUSI/LDF në periudhën 2015-2016 financuar nga Agjencioni Austriak për Zhvillim, participim nga partneri Komuna Suharekë dhe implementuar nga Fondacioni Fondi për Zhvillim Lokal, i cili projekt mundësoi mbështetje direkte për 50 (pesëdhjetë) fermerë të Komunës së Suharekës nga të cilët 19 gra fermerë 16 të rinjë dhe 1 person me nevoja të veçanta. Gjithashtu në kontribut të zhvillimit të sektorit të bujqësisë projekti ka organizuar shumë takime dhe trajnime me fermerët në veçanti dhe me akterët tjerë kyç nga sektori i bujqësisë në Komunën e Suharekës. Nisur nga këto suksese dhe rezultate sot më datë 08 Shkurt 2017 u nënshkrua kontrata projektit të ri 3 vjeçar SUSI/LDF faza e 2-të , I cili do të vazhdojë përkrahjen e sektorit të bujqësisë dhe në veçanti fermerët e vegjël të Komunës së Suharekës.

Kontrata u nënshkrua në prani të tre partnerëve, nga të cilët përfaqësues nga Agjencioni Austriak për Zhvillim Z. Gunther Zimmer, përfaqësuesja e Fondit për Zhvillim Lokal Znj. Bernardina Krasniqi si dhe Kryetari i Komunës Suharekë Z. Sali Asllanaj. Në këtë takim Z. Gunther Zimmer shprehu mirënjohjen për bashkëpunimin në veçanti gatishmërinë e Komunës Suharekë në participim si dhe implementimin e shkëlqyer dhe sukseset e arritura  nga Fondi për Zhvillim Lokal dhe gjithashtu Z. Sali Asllanaj shprehu mirënjohje të thellë për mbështetjen e Agjencionit Austriak për Zhvillim në zhvillimin dhe fuqizimin e sektorit të bujqësisë në Komunën e Suharekës, bashkëpunimin me Fondin për Zhvillim Lokal. Vlen të ceket se kontributi i Komunës së Suharekës është mjaft i lartë dhe domethënës në vlerë monetare 115,500.00 të cilat do të investohen direkt në komponentën e granteve. Në anën tjetër Drejtoresha e Fondit për Zhvillim Lokal Znj. Bernardina Krasniqi shprehu mirënjohjen dhe falënderimet për bashkëpunimin e ngushtë të deritashëm me të dyja palët dhe beson fuqishëm edhe në bashkëpunimet tjera në të ardhmen si nga Komuna Suharekë dhe Agjencioni Austriak për Zhvillim në mbështetje dhe fuqizim të vazhdueshëm të sektorit të bujqësisë dhe agrobiznesit në Komunën e Suharekës në veçanti dhe gjithë Kosovës në përgjithësi. Në pyetjen e Z. Asllanaj rreth dinamikës së projektit ajo deklaroi se Fondi për Zhvillim Lokal do të filloj menjëherë me planin e aktiviteteve duke i dhënë prioritet komponentës së granteve që ndërlidhet me sezonalitetin në punët në sektorin e bujqësisë.

Fondi për Zhvillim Lokal çmon lartë bashkëpunimin e deritashëm dhe në vazhdim me donatorin Agjencionin Austriak për Zhvillim dhe partnerin Komunën e Suharekës dhe zotohet në punën e mëtutjeshme në mbështetjen e sektorit të bujqësisë duke u mbështetur në parimet baze të respektit për barazi dhe vlerësime sa më të drejta të aplikuesve.